Kurti: Nuk duhet të lejojmë që kujtesa jonë të mbushet me emra tjerë grash e vajzash, viktima të sjelljes barbare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para se të fillonte mbledhja e Qeverisë ka folur për vdekjen e dyshimtë të 18-vjeçares nga Ferizaj.

Ai para kabinetit qeveritar tha se nuk duhet të lejohet më, që të vdesin gra e vajza nga dhuna.

“Ne nuk duhet të lejojmë që kujtesa jonë të mbushet edhe me emra të tjerë grash e vajzash, viktima të sjelljes barbare. Një edukim i tërë shoqëror – në çdo nivel shkollimi dhe organizimi – duhet të thellojë ndjeshmërinë dhe respektin. Duhet edukuar shpirti dhe arsyeja”, tha Kurti.

“Drejtësia është çështje e shoqërisë në tërësi. Baza e drejtësisë është respekti i tjetrës, i tjetrit, i njeriut. Sot ngushëllojmë familjarët e Marigonës, por ngushëllimi në rastet e vdekjeve të tilla mizore i takon secilit prej nesh”, tha më tej ai.

Në mesditën e së dielës në emergjencën e Spitalit të Ferizajt, ishte dërguar pa shenja jete një vajzë e moshës 18-vjeçare.

Sipas Prokurorisë, dy personat e dyshuar Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, pasi e kanë lënë në spital viktimën, ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Për rastin, i dyshuari Arbër Sejdiu ishte arrestuar të dielën, ndërsa dje u arrestua edhe i dyshuari tjetër Dardan Krivaqa.

Ky është fjalimi i plotë i Kurtit:

Me formën më të rëndë dhe më çnjerëzore u shfaq dhuna mbi vajzën, mbi gruan, mbi Marigonën, së cilës dje ia dhamë lamtumirën.

Dhe ne sërish u ndjemë të pafuqishëm përpara një vdekje të jashtëzakonshme.

Unë nuk guxoj t’i mendoj orët e tmerrshme të fundit të jetës së një vajze të brishtë e të re. Nuk guxoj. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë më. Pas një veprimi të tillë na shuhen shpresat, na bien fuqitë.

Vrasësi nuk ka njohur asgjë nga Marigona, veç moshës së saj. Ai nuk ka parë asgjë të bukur. Viktimën e njohëm nga humbja e saj, nga dhuna që u ushtrua mbi të, kurse të dyshuarin për vrasjen e saj nga biografia e tij. Kjo është gjendja jonë shoqërore e jashtëzakonshme.

Një indiferencë e përgjithshme nga rrethi shoqëror dhe organet e drejtësisë – e instaluar ndër vite e vite – ka bërë që në kokat tona të mbeten emra grash, viktima të një dhune të tmerrshme.

Ne nuk duhet të lejojmë që kujtesa jonë të mbushet edhe me emra të tjerë grash e vajzash, viktima të sjelljes barbare.

Një edukim i tërë shoqëror – në çdo nivel shkollimi dhe organizimi – duhet të thellojë ndjeshmërinë dhe respektin. Duhet edukuar shpirti dhe arsyeja.

Nuk mund të tolerohen më xhepa të çmendurisë vrastare dhe as indiferenca. Drejtësia është çështje e shoqërisë në tërësi. Baza e drejtësisë është respekti i tjetrës, i tjetrit, i njeriut.

Sot ngushëllojmë familjarët e Marigonës, por ngushëllimi në rastet e vdekjeve të tilla mizore i takon secilit prej nesh.

Ndërkaq përgjegjësia tërë trupës shoqërore.