Kurti: Nuk do ta lëmë pa përgjigje presidentin, prioritet kemi luftën ndaj pandemisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka një plan për një qeveri të re në vend pa shkuar në zgjedhje. Sipas Kurtit, ai po gabon në këtë.

Ai tha se do t’i përgjigjet letrës së presidentit të Kosovës ndërsa ka kërkuar nga partitë që të bëhen bashkë për luftimin e pandemisë së COVID-19.

“Ne nuk do ta lëmë presidentin pa përgjigje por nuk do të nxitohemi. E kemi prioritet mbi gjithçka tjetër luftimin e pandemisë së coronavirusit. Është mendimi ynë i argumentuar dhe i arsyetuar se zgjidhja e drejtë dhe e mirë përpara, që të gjithë të bëhemi bashkë kundër virusit e pastaj të shkojmë në zgjedhje parlamentare”, tha ai në një intervistë në RTV21.

“Është për të ardhur keq që presidenti ka paraqitur planin për një qeveri të re, për besimin tim paraqet shkelje të Kushtetutës. Është edhe plan, jo vetëm intencë, është shpalosur në hapin e parë. Unë besoj që ka nxituar dhe ka gabuar por pa përgjigje nuk do ta lëmë. Meqë intenca e presidentit është edhe plan i tij”, deklaroi kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti.