Kurti: Nuk do ta bëj pranim-dorëzimin e detyrës, kjo është Qeveria koti

Tashmë ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas votimit të Qeverisë së re, ka deklaruar se ekzekutivi i ri është i paligjshëm.

Ai ka shtuar se nuk do ta bëjë pranim-dorëzimin e detyrës te kryeministri i sapozgjedhur Avdullah Hoti.

Kurti ka shtuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm.

“Kjo është qeveria koti. Ne jemi qeveria alternative. Nesër nuk do ta bëj pranim-dorëzimin, sepse nuk mund  ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën, do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, ka thënë Kurti.

Kurti përmes një video-mesazhi në Facebook ka thënë se kanë qenë katër muaj qeverisje e mirë e ekzekutivit të tij.

“Sot janë bërë katër muaj që jam zgjedhur kryeministër, kurse nesër nuk do të jem më në këtë zyrë. Katër muaj qeverisje e mirë, 39 mbledhje të mira të qeverisë, 213 vendime që e kanë bërë shumë më të mirë politikën në Kosovë.

Kurti ka falënderuar të gjithë për mbështetjen dhe kabinetin qeveritar për punën.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se ceremonia e marrjes së detyrës nga kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti, do të mbahet nesër.

Ceremonia sipas njoftimit, do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në ora 9:00.

Kuvendi i Kosovës, sot me 61 vota ka zgjedhur Qeverinë e re të koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe.