Albin Kurti dhe Charles Michel

Kurti njoftoi presidentin e Këshillit Evropian se kur do të aplikojë Kosova për statusin e vendit kandidat në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka njoftuar atë për aplikimin për statusin e vendit kandidat, që planifikohet të bëhet deri në fund të vitit.

“Kryeministri Kurti theksoi vullnetin dhe bindjen e fuqishme të popullit të Kosovës për të ardhmen evropiane dhe në Bashkimin Evropian dhe e njoftoi Presidentin Michel për aplikimin për statusin e vendit kandidat, që planifikohet të bëhet deri në fund të vitit”, thuhet në njoftimi ne Qeverisë së Kosovës.

Kurti ka thënë se ndihma e Bashkimit Evropian për Kosovën, e ka kthyer këtë të fundit në një rrëfim suksesi dhe shprese, sipas tij, si prijëse në indeksin demokratik të Ballkanit Perëndimor.

Kurti, në një komunikatë të Qeverisë, citohet të ketë përgëzuar Michel për rizgjedhjen në mandatin e tij të dytë në pozitën e Presidentit të Këshillit Evropian.

“Biseduan për të arriturat dhe sfidat në më shumë se një vit qeverisje dhe kryeministri Kurti tha se stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike ka ndikuar në ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin e Transparency International për vitin 2021 dhe po për 17 vende në indeksin e “Ëorld Press Freedom” për liri të shprehjes dhe të mediave”, thuhet në komunikatë.

“Ndërkaq, sa i përket sundimit të ligjit është radhitur e para në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në indeksin e vitit 2021 të “World Justice Project”, dhe është vendi i vetëm në rajon që ka shënuar përmirësim në raportin e Fredoom House”, vazhdon komunikata e Qeverisë.

Ndërsa sipas kryeministrit, ky stabilitet ka sjellë edhe rritjen e indikatorëve ekonomikë, kurse tutje Kurti citohet të ketë përmendur rritjen ekonomike 10,53%, rritjen e eksporteve për mbi 83%, e të investimeve të huaja direkte për 22%.

Duke e njohur rolin që ka presidenti Michel në koordinimin e konkluzioneve të samiteve të Këshillit Evropian, kryeministri Kurti ka shprehur shpresën për përkrahje për liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Lidhur me dialogun me Serbinë në Bruksel, kryeministri Kurti theksoi qasjen konstruktive të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për BE-në dhe se aty zgjidhja e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është posaçërisht e rëndësishme”, thuhet në fund të komunikatës së Qeverisë.