Kurti një ditë pas shkarkimit të Veliut, vizitoi Policinë e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme kanë vizituar Qendrën Operative të Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Kurti së bashku me U. D. e Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla u pritën nga Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj.

“Kryeministri Kurti u njoftua nga eprorët e lartë të Policisë së Kosovës, për angazhimet që janë duke i bërë sa i përket gjendjes së përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe për funksionet që ka qendra operative e Policisë, në monitorimin dhe e mbulimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet në njoftim edhe se kryeministri Kurti, falënderoi të gjithë zyrtarët policor, që në këtë situatë pandemike të koronavirusit,  janë duke treguar guxim dhe dije në menaxhimin e situatës dhe njëkohësisht duke u kujdesur edhe për sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

“Kryeministri Kurti theksoi se duke parë situatën në teren, Qeveria e Kosovës është dashur të merr vendime për t’iu përgjigjur situatës dhe natyrisht që Qeveria e Kosovës po bënë përpjekje maksimale që të menaxhojë sa më mirë këtë situatë për tu ndalur në ndihmë qytetarëve të vendit”, thuhet në njoftim të MPBAP-së.

Pas takimin në Qendrën Operative të Policisë, Kryeministri Kurti vizitoi edhe Qendrën Kombëtare për Menaxhim të Kufirit dhe Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, që është hapur sot pas aktivizimit të Planit të Reagimit Kombëtar.

Në fund të njoftimit thuhet se Kryeministri Kurti vlerësoi angazhimet e U.D ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe të stafit të MPBAP-së për punën që po bëjnë për tu përballur me këtë situatë.

Gjatë ditës së djeshme Kryeministri Kurti shkarkoi nga detyra e ministrit të MPBAP-së, Agim Veliun.

Pas shkarkimit LDK mblodhi kryesinë ku u propozua mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti.