Kurti: Ngushëllimet për familjen Osmanaj janë apeli ynë më i zëshëm kundër zjarrvënieve

Kryeministri Albin Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë me thirrjen që të mos shkaktohen zjarre, të cilat sipas tij, po sjellin tragjedi në këto ditë të nxehta.

Me këtë rast, ai i dërgoi ngushëllime familjes së zjarrfikësit Sefadin Osmanaj i cili humbi jetën në vendin e tij të punës gjatë fikjes së zjarrit në fshatin Kurshevë të Vogël të Klinës.

“Vendi ynë tashmë e ka përjetuar një humbje të dhimbshme javën që lamë pas. Zjarrfikësi Sefadin Osmanaj humbi jetën në krye të detyrës. Ngushëllimet tona për familjen Osmanaj janë apeli ynë më i zëshëm kundër zjarrvënieve dhe për bashkëpunimin me institucionet e vendit në identifikimin e hershëm dhe reagimin e menjëhershëm në rast të zjarrit”- tha Kurti, më 14.08.2024.

Për këtë çështje, ai tha se ka folur edhe me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, në një takim konsultues dhe koordinues.

“Ndihma e KFOR-it është shumë e rëndësishme në këtë çështje”- tha Kurti.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që faktori njeri të jetë faktor në shuarjen e zjarreve dhe kurrsesi shkaktar i tyre, apo nga pakujdesia” – tha Kurti.

Në Prevallë po bëhen nëntë ditë që nuk është shuar zjarri.

Në fillim të gushtit, zjarre pati edhe në shtegun e Liqenatit në Bjeshkët e Nemuna.