Kurti nga Vjena kërkon heqjen e vizave nga vendet evropiane për qytetarët e Kosovës

Stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike në Kosovë u veçuan nga kryeministri Albin Kurti në diskutimin me temën “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore”, organizuar nga Instituti “Karl Renner” në Vjenë.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e Qeverisë, Kurti ka diskutuar për sfidat madhore për Kosovën, demokracinë në Evropën Juglindore dhe më gjerë dhe se si mund të forcojnë demokracitë njëra-tjetrën.

“Jemi krenarë që kemi një kabinet qeveritar me ministra të arsimuar dhe qytetarë qëllim-mirë“, citohet të ketë thënë Kurti.

Sipas njoftimit, kryeministri ka theksuar diversitetin dhe solidaritetin e kabinetit, ku nga 15 ministri, pesë udhëhiqen nga gratë, ndërsa dy zëvendësministre janë gra.

Po ashtu, sipas Kurtit, në Qeveri ka përfaqësim te komuniteteve që jetojnë në Kosovë, me një zëvendëskryeministre boshnjake, një ministër serb, një ministër turk dhe një ministër nga komuniteti egjiptian.

Duke folur për zhvillimet e muajve të fundit, kryeministri Kurti theksoi përqendrimin e Qeverisë në punësim dhe drejtësi, dy nga prioritetet për të cilat është votuar nga populli.

Ai veçoi operacionet e ndërmarra nga organet e rendit në luftimin e korrupsionit dhe shkatërrimin e grupeve kriminale.

Kryeministri Kurti shprehu vullnetin e Qeverisë për të fuqizuar marrëdhëniet bilaterale me shtetet që kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Duke kërkuar liberalizim të vizave për Kosovën, ai theksoi nevojën për mbështetje edhe për njohje të pavarësisë nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së.

Bazuar në stabilitetin institucional në Kosovë, ai tha se mund të rritet raporti ndërmjet eksportit dhe importit me Austrinë. Ndërsa, rritja e investimeve të huaja në muajt e fundit shton optimizmin për të ardhmen.

Gjatë kësaj vizite, krahas takimeve tjera zyrtare, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim bilateral me kancelarin e Austrisë, Alexander Schallenberg me të cilin do të diskutojë mbi marrëdhëniet në mes Republikës së Kosovës dhe Austrisë dhe mënyrat e fuqizimit të tyre nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.