Kurti nga termocentrali “Kosova B”: furnizimi i qëndrueshëm me energji e çmime të përballueshme është prioritet urgjent

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar me ministren e ekonomisë Artane Rizvanollin  kanë vizituar Termocentralet  “Kosova B” dhe “Kosova A”.

Gjatë vizitës, Kurti u shpreh se është informuar që njëri nga blloqet është kthyer në punë ndërsa blloku tjetër ende nuk është kthyer në punë por që sipas tij një ekspertize të lartë në mënyrë që të konstatohet shkaku i defektit dhe më pas të sanohet ai.

“Unë mora vesh nga menaxhmenti këtu se flatrat e turbinës së rotorit të gjeneratorit janë ato të cilat janë dëmtuar dhe kur kanë rënë poshtë e kanë dëmtuar edhe kondensatorin dhe asisoj e kanë kuptuar që ka problem serioz dhe e kanë ndërprerë bllokun”, ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu tha se duhet ndërmarr hapa se si të ecet tutje dhe të mos ketë më këso situata.

“Nuk mendoj se në këtë krizë që jemi tash duhet të fillojmë të fajësomë njëri-tjetrin dhe të vemë gishtin e përgjegjësisë të ndokush por le ta kalojmë këtë krizë sepse furnizimi i qëndrueshëm e me çmime të përballueshme është prioritet urgjent i gjithë neve”, deklaroi kryeministri.

Tutje Kurti shtoi se tashmë Kosova është në bllokun rregullativ me Shqipërinë.

“Me Republikë e Shqipërisë jemi më së shumti në komunikim e bashkëpunim sa i përket nevojave të Kosovës për energji e këto biseda më së shumti i ka zhvilluar ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli”, u shpreh Kurti.

Ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Shqipëria deri tash vonë ka qenë duke importuar deri në tre milionë euro energji elektrike për vete dhe e ka pasur të pamundur që të ndihmojë Kosovën përmes këmbimit.

“Këto ditë janë duke i parë mundësitë pasi mezi janë duke e mbuluar kërkesën e vet dhe kemi premtime që në momentin që është e mundur sado pak do të na ndihmojnë për ta kaluar këtë krizë ndërsa ne pastaj e këmbejmë megavat për megavat në një kohë kur ata kanë nevojë e ne kemi tepricë”, ka thënë Rizvanolli.