Kurti nga takimi me presidentin e Këshillit Evropian: Kosova nuk mbështet asnjë nismë që rrezikon integritetin e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Bled të Sllovenisë, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri Kurti tha se hezitimet politike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, po mbajnë peng qytetarët e Kosovës, duke i privuar nga lëvizja e lirë brenda BE-së.

“Ai shprehu keqardhje edhe për faktin se marrëveshja e MSA -së, e nënshkruar ndërmjet BE -së dhe Kosovës, nuk po i jep efektet e dëshiruara, meqenëse për shkak të kufizimit të vizave, është e pamundur që bizneset kosovare të lëvizin lirshëm brenda BE -së”,  thuhet në komunikatën e ekzekutivit.

Tutje thuhet se Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova do të mbështesë Procesin e Berlinit, dhe “asnjë nismë tjetër e cila do të rrezikojë integrimin e saj në BE”.

“U bisedua për dialogun me Serbinë, takimet e kaluara të mbajtura në Bruksel dhe përgatitjet për takimin e radhës. Po ashtu, u bisedua për sfidën e përbashkët me pandeminë COVID-19 dhe nevojën për përkrahje në përballimin e vështirësive të shkaktuara nga kjo krizë globale”, përfundon njoftimi.