Kurti nga shtëpia muze e familjes Qerkezi: Qëndresa e nënës Ferdonije na mbanë të fortë të gjithëve
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vizituar shtëpinë muze të familjes Qerkezi.
Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu janë pritur nga Ferdonie Qerkezi dhe përfaqësuese të organizatës “Thirrjet e Nënave”.
Në njoftim thuhet se kreu i ekzekutivit ka ritheksuar se Qeveria mbetet e përkushtuar për ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit të pritjes së familjarëve.
“Baca Halim, Artani, Armendi, Ardiani dhe Edmondi janë emra që i njohim të gjithë dhe i mbajmë në zemër. Janë emra të vuajtjes e dhimbjes, të humbjes e pikëllimit, jo vetëm të Nënës Ferdonije, por të gjithë popullit dhe secilit qytetar” – ka thënë kryeministri Kurti.
Tutje, sipas komunikatës ai është shprehur se “Qëndresa e Nënës Ferdonije na mbanë të fortë të gjithëve, na inkurajon e na frymëzon”.
Në njoftimin e Qeverisë bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite u rikujtua edhe protesta e para 18 viteve, për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, gjatë së cilës kryeministri Kurti, atë kohë si protestues, u arrestua bashkë me përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave”.
“Duke i falënderuar për qëndresën e tyre, kryeministri shprehu mirënjohje për angazhimin e nënave nga Gjakova, të cilat protestonin edhe për lirimin e të burgosurve nga burgjet serbe dhe që vazhdojnë aktivizmin e tyre, për të zbardhjen e fatit dhe të vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë” – thuhet tutje në komunikatë.
30 gushti i sivjetshëm e gjen Kosovën me 1,617 persona të cilët mbeten të pagjetur nga lufta e fundit. Shumica prej këtyre të pagjeturve janë shqiptarë.
Si pasojë e luftës së fundit në Kosovë kanë përfunduar të varë mbi 13,000 njerëz dhe mbi 6,000 të zhdukur. Por, mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi.
Sot gjatë ditës, presidetnja Osmani, kryeministri Kurti, ambasadori amerikan në Kosovë Hovenier e zyrtarë të tjerë kanë bërë homazhe pranë përmendorës që i kushtohet personave të zhdukur nga lufta.