Kurti nga Samiti i BERZH-it zotohet për luftim të korrupsionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Samiti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që po mbahet në Londër ka thënë se është entuziast  për bashkëpunimin me BERZH-in për ta jetësuar planin e tij qeverisës.

Në një intervistë për BERZH, Kurti ka thënë se do të fokusohen në sundim të ligjit dhe luftim të korrupsionit.

“Diçka qe vjen nga Evropa dhe që ne e vlerësojmë në Ballkanin Perëndimor është BERZH-i, sepse fjala kyçe e tyre është investimi,  për rritjen e zhvillimit ekonomik, rritjen e punësimeve, veçanërisht të grave dhe të rinjve. Si qeveri e re mezi pres të bashkëpunoj me BERZH-in me planin tonë qeverisës me investime më të duhura sesa në të kaluarën”, është shprehur ai.

Ai ka folur edhe për ndërtimin e rrugëve që lidhen qytete të Kosovës me shtetet fqinje.

“Do të fokusohemi në lidhjen e Prizrenit dhe Tetovës në Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu në rehabilitimin e autostradës jug-veri, nga Hani i Elezit në kufirin me Maqedoninë e Veriut, me Leshakun në kufi me Serbinë”, tha Kurti.

Kryeministri mes tjerash shtoi se në Kosovë ka entuziazëm për ndryshime pozitive.

Kurti ka përmendur edhe moshën mesatare të të rinjve në Kosovë dhe kapacitete e tyre për zhvillim teknologjik.

“Është shumë mundësi e mirë të diskutohet më udhëheqës të shteteve të tjera. Jam në zyrë qe vetëm 3 javë, por është entuziazëm i madh në Kosovë dhe dua që ky të transmetohet në më shumë investime për rajonin dhe veçanërisht për Kosovën”, u shpreh shefi i ekzekutivit kosovar.