Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti nga Prekazi: Padrejtësia për ata që e shpallën UÇK-në nuk do të na dobësojë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë homazheve në varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Momorial  të familjes Jashari në Prekaz ka thënë se data e 28 nëntorit është gurthemeli i identitetit kombëtarë shqiptar.

Ai së bashku me një delegacion nga partia Lëvizja Vetëvendosje, bëri homazhe për nder të ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Skënderbeu në Krujë, Ismail Qemajli në Vlorë e Adem Jashari në Prekaz janë tri ngjarje historike që kanë të përbashkët 28 nëntorin, këtë datë gurthemel të identitetit kombëtar e shqiptar. Ne filluam me homazhe te heronjtë e familjes Jashari këtu në Prekaz sepse 59 anëtarët e së njëjtës familje, në mesin e të cilëve, 15 gra e 15 fëmijë, u flijuan në një luftë të pabarabartë”, deklaroi Albin Kurti.

Ai ka përmendur edhe bashkëpartiakun e tij, i cili në të njëjtën ditë më 1997 kishte bërë një paraqitje publike për herë të parë si pjesëtar i UÇK-së.

Kurti tha se, padrejtësia që po u bëhet luftëtarëve të UÇK-së, nuk do t’i dobësojë ata.

“Në homazhet e stome, këtu në Prekazin historik ishim me Shqipën por pa Rexhën, me Shqipën bashkëshorten e bashkëluftaren e Rexhep Selimit i cili gjithashtu më 28 nëntor të vitit 1997 bëri shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me dy bashkëluftëtarët e tij, Mujë Krasniqin dhe bashkëluftarin Daut Haradinaj. Padrejtësia për ata që e shpallen Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me siguri që nuk do të na dobësoj, do t’i tejkalojmë këto vështirësi sepse patjetër do të ngadhënjejmë. Urime festën e 28 nëntorit të gjithë shqiptarëve”, deklaroi ai para mediave të shtunën.