Kurti nga Krusha e Madhe: Në raportin tonë me Serbinë prioritet çështja e të pagjeturve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë homazhe te Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe.

Kurti tha se nga forcat serbe në këtë vend janë vrarë  243 persona, prej të cilëve 64 ende rezultojnë të zhdukur. Ai tha se prioritet në dialogun me serbinë do të jetë çështja e të pa gjeturve dhe krimeve të kryera gjatë luftës.

“Në raportin tonë me Serbinë ne e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve dhe të krimeve të kryera gjatë luftës me qenë se nuk mund të kemi ardhmëri paqe, drejtësi progres nëse nuk i trajtojmë krimet makabre që janë kryer mbi popullin tonë dhe të gjithë e mbajmë mend sepse e kemi përjetuar vetë”, tha Kurti.

Kurti tha se nuk do të ketë dialog ku dëgjojnë kërkesa të vjetra të Serbisë, por do të jetë dialog ku do të shtrojnë kërkesa për drejtësi.

Edhe Vjosa Osmani deputete e Kuvendit të Kosovës dhe pretendente për pozitën e presidentes, tha se më shumë se dy muajt në vijim janë dëshmia më autentike e gjenocidit serb në Kosovë.

“Krusha e Madhe dhe gjitha këto masakra janë zëri i lartë i ndërgjegjes që thërret për drejtësi dhe plaga jonë është akoma e hapur për shkak se në njërën anë kriminelët që i kanë kryer këto nuk e kanë marrë ende dënimin e merituar dhe në anën tjetër për shkak se akoma ka dhjetëra familjar e anëtar të Republikës së Kosovës të cilët janë të zhdukur me dhunë janë të pagjetur e për të cilët Serbia ende nuk ka dhënë përgjigje”, tha Osmani.

Kurti pritet të bëjë homazhe edhe te kompleksi i varrezave në Krushë të Vogël dhe te Kompleksi Memorial për viktimat e familjes Berisha.