Kurti nga Iowa: Beogradi nuk është i interesuar të ketë marrëveshje

Pas mosarritjes së marrëveshjes për targat në mes Kosovës dhe Serbisë kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se kjo ka ndodhur pasi Beogradi nuk ëshë i interesuar të ketë marrëveshje.

Ai ka thënë se nuk e ka ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, por beson që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do ta shpjegoj publikisht se cila palë nuk ishte konstruktive.

“Unë për vete nuk kam dilema. E di që kyrenegociatori ynë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ, por qartazi Beogradi s’është i interesuar të ketë marrëveshje”, është shprehur Kurti në një intervstë për RTK-në.

Tutje ai ka shtuar se qeveria nuk dëshiron asnjëherë ta vë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit.

Madje, ai ka thënë se i takon, sipas tij, ndërmjetësit apo lehtësuesit, pra Lajçak që ta sqarojë se pse konkretisht nuk është arritur marrëveshja.

Kurti tha se kjo marrëveshje ka qenë mjaft afër dhe për të Lajçak është angazhuar shumë.

Tutje, shefi i qeverisë ka thënë se Serbia ka shtuar agresivitetin ndaj Kosovës.

Kjo pasi, sipas tij, Kosova është duke punuar në të gjitha fushat dhe kjo po i pengon presdentit të vendit fqinj, Aleksandar Vuçiq.

“Presidenti i Serbisë është duke shtuar agresivitetin ndaj Kosovës, dhe unë besoj që kjo ka të bëjë me suksesin e Kosovës. Ne po përparojmë në të gjitha fushat, e kjo i pengon atij. Dhe, ka të bëjë me luftën në Ukrainë, sepse Serbia po mban anën e agresionit ushtarak”, tha Kurti.

Gjatë ditës Lajçak ka njoftuar se nuk është arritur marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë për targat.

Ai në Twitter ka thënë se në takimin e sotëm në mes kryenegociatorëve ka pasur përparim në çështje të tjera, përfshirë këtu energjinë.

“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në çështjet e tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, është shprehur Lajçak.

Marrëveshja e përkohshme e targave ka përfunduar më 21 prill. Edhe pse u mbajtën disa takime për të arritur një marrëveshje përfundimtare para 21 prillit, përpjekjet nuk patën rezultat.

Edhe përkundër që marrëveshja e përkohshme për targat ka skaduar më 21 prill, edhe përtej kësaj date, veturat kanë vazhduar të vendosin letrat ngjitëse bazuar në marrëveshjen e përkohshme e cila ishte arritur në tetor mes kryenegociatorëve në Bruksel.

Më 4 maj, një darkë joformale mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, dhe të ngarkuarit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është mbajtur në periferi të Berlinit.

S’ka marrëveshje për targat mes Kosovës dhe Serbisë