Kurti nga Athina: Zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është BE-ja

Duke folur për stabilitetin dhe prosperitetin në rajon, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga Athina ka thënë se zgjidhja për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian, dhe drejt kësaj ne kemi nevojë për Procesin e Berlinit.

“Procesi i Berlinit mund të sjellë një valë që do të ngrite të gjitha varkat në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht një iniciativë me Bashkimin Evropian  si vlerë dhe mekanizëm, e jo jashtë BE-së”, citohet të ketë thënë Kurti në komunikatën për media të qeverisë.

Tutje në panelin “Evropa Juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për ndihmë nga jashtë.

“Duhet t’i sjellim vlerat e BE-së brenda, duke bërë reforma demokratike gjithmonë si prioritet drejt stabilitetit politik. Reformat demokratike mbi stabilitetin politik sigurojnë që të mos shfaqen autokratët”, ka theksuar Kurti.

Duke folur për luftën në lidhje me narrativen, kryeministri Kurti ka thënë se ka disa superfuqi që duan të tregojnë se autokracia është më e mirë për zhvillimin ekonomik.

“Kosova po tregon se në fakt, me reforma demokratike mund të arrihet sukses, edhe kur është fjala për rritjen ekonomike. Për shkak të ndryshimeve demokratike që ndodhën vitin e kaluar, Kosova përjetoi rritjen më të lartë ekonomike që nga pavarësia me 10,53%, eksportet tona u rritën 83,6%,  dhe investimet e huaja u rritën 21%”, ka theksuar Kurti.

Duke folur për dënimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë, kryeministri ka thënë se nuk mund të jemi neutral.

“Neutraliteti në këndvështrimin tonë është cinizëm dhe do të thotë kërkim i rehatisë në kohë krize.  Por shpresa dhe pasioni duhet të kapërcejnë çdo lloj cinizmi”, citohet të ketë thënë Kurti në komunikatën për media të qeverisë.

Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri Kurti ka thënë se kemi një rrethanë fatkeqe ku fqinji ynë Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, dhe ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

“Duke theksuar se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri tjetrin, kryeministri theksoi synimet Qeverisë së Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Tutje në këtë diskutim, Kurti ka thënë se shpreson që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të merret në konsideratë së shpejti, që do t’u mundësonte qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo tryezë, e 26-ta me radhë, është organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist”, me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Kurti udhëton në Greqi