Albin Kurti

Kurti: Nesër betohet kryetarët e rijn në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë sot ka njoftuar se nesër do të mbahen seancat konstituive për betimin e tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.

Kurti tha se betimi i tyre do bëhet në ndërtesa publike në këto komuna.

“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna, do të mbahen seancat e betimit për tre kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Kanë kaluar gjashtë muaj që kur këto komuna mbetën pa kryetar dhe dy prej tyre edhe pa kuvende, kurse banorët pa shërbime komunale. Kjo nuk është normale” – tha Kurti.

Kryeministri theksoi se zgjedhjet e 23 prillit ishin të qeta, pa incidente teksa shtoi se frikësimet nga Beogradi sipas tij ndikuan në daljen e ulët të qytetarëve për të votuar.

“Dje u bënë një muaj prej zgjedhjeve në veri, nuk pati asnjë incident, ishin te qeta dhe paqësore. Frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi ndikon drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serbë në zgjedhje. Fushata të tilla kërcënuese të Beogradit ndaj serbëve lokalë, veçanërisht në veri janë të shpeshta dhe të vazhdueshme, diçka që ndodh shpesh nuk do të thotë që është normale dhe e pranueshme”- deklaroi ai.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se dje në Mitrovicën Veriore janë emëruar katër drejtorë; një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar, prej tyre dy gra.

“Të premten e kaluar, kryetari i komunës veriore të Mitrovicës  Erden Atiq bëri betimin e tij, kjo është normale pas një procesi zgjedhor, e nënkryetare u emëruar Katarina Axhançiq. Dje u emëruan katër drejtorë, një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar, e prej tyre dy gra. Ky është progres që duhet normalizuar”- tha ai.

“Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje, ky është obligim i yni, këtë angazhohemi duke i mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend sepse të gjitha këto janë normale në demokraci”- ka theksuar Kurti.

Garën për të parin e Zubin Potokut e ka fituar Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës me 196 vota.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 60% në zgjedhjet në Komunën e Zveçanit në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

PDK ka garuar me kandidatin Ilir Pecin në këtë komunë. Ai mori gjithsej 114 vota.

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, që u zgjodh nga zgjedhjet e 23 prillit, mandatin si kryetar i kësaj Komune e ka marrë të premten e kaluar.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhje kanë dalë 1,567 votues apo 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Komunat kanë mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Të enjten betohen kryetarët e komunave Zubin Potok dhe Zveçan, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci