Kurti: Nëse KFOR-i nuk i heq barrikadat, ne duhet ta bëjmë këtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin boshnjak “O Kanal” ka folur rreth gjendjes në veri të Kosovës. Ai ka deklaruar se nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat atëherë Kosova duhet ta bëjë këtë.

Ai ka potencuar se kanë kërkuar nga KFOR-i që barrikadat të hiqen para Krishtlindjeve dhe është shprehur se i vjen shumë keq që KFOR-i po e vonon këtë.

“Nuk e di pse po ngec dhe pse po e bën. As vetë nuk e di se çfarë bisedash kanë bërë atje. Por e di që kjo nuk mund të zgjasë shumë. Së shpejti do të kemi një takim me KFOR-in për të sqaruar gjithçka” – ka thënë Kurti.

“Dhe nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat ose, për arsye të panjohura për mua, nuk do ta bëjë këtë, atëherë ne do të duhet ta bëjmë atë. Sepse barrikadat bllokojnë kryesisht serbët në veri. Ato janë shkelje dhe shtypje e rendit tonë kushtetues dhe ligjit dhe rendit tonë. Por në radhë të parë është kundër lirisë së lëvizjes” – ka shtuar ai teksa ka thënë se është koha që KFOR-i ta dëshmojë veten.

“Për 23 vitet e fundit, KFOR-i është mburrur se qëndron për paqen, për sigurinë dhe fillimisht për lirinë e lëvizjes. Epo, tani ai duhet të provojë veten në veprim. Mendoj se ka ardhur koha që ata të dëshmojnë veten. Nëse ata nuk do të provojnë veten, atëherë për fat të keq do të duhet të merremi me ato barrikada”.

Teksa kryeministri i Kosovës i ka cilësuar barrikadat si shumë të dëmshme, të gabuara dhe që në të njëjtën kohë sjellin përvoja dhe kujtime të hidhura nga tridhjetë vjet më parë, ai ka thënë se për këtë temë do të bëhet një takim me KFOR-in menjëherë pas Krishtlindjeve.

“Para së gjithash duhet një takim me KFOR-in, i cili do të bëhet menjëherë pas Krishtlindjeve dhe pastaj do të vendosim se çfarë do të bëjmë dhe si do ta bëjmë” – ka thënë Kurti.

Tutje Kurti është pyetur se a  mund të hiqen këto barrikada pa aksidente, për të cilën ai është përgjjur se nuk mund të dihet reagimi i palës tjetër.

“Nga ana jonë është e mundur. Por ana tjetër është e panjohur për ne. Njerëzit janë me uniformë. Nuk e dini se si do të reagojë secili prej tyre kur të afrohet policia jonë. Unë di një gjë. Ata marrin direktiva nga Beogradi” – ka qenë përgjigja e Kurtit.

Sipas tij situata nëse do të ketë incidente apo jo varet nga urdhrat e Beogradit.

Kjo vjen nga qeveria serbe dhe presidenti serb. Vjen nga këta katër – Vuçiq, Bërnabiq, Vulin dhe Daçiq. Kjo është katërshja nga Beogradi që janë autoriteti kryesor dhe komandues për atë që po ndodh pas barrikadave” – ka përfunduar Kurti.

Gjatë natës në veri janë vendosur dy barrikada të reja.

Njëra nga këto barrikada është vendosur në hyrje të qytetit të Mitrovicës së Veriut, tek udhëkryqi i shkollës teknike në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa tjera është vendosur te vendi i quajtur “Kërshi i Dudit” në Zveçan.

Që 18 ditë janë vendosur barrikadat në veri si pakënaqësi ndaj arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq. Ai është arrestuar nën dyshimin e organizimi të sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor më 6 dhjetor 2022.

Që para fillimit të vendosjes së barrikadave më 10 dhjetor në veri, janë regjistruar disa incidente me shok-bomba e granata dore, sulme ndaj ekipeve të gazetarëve, patrullës së EULEX-it, gjuajtje me armë në afërsi të ekipit së KFOR-it dhe po ashtu një polic i Kosovës është plagosur.