Kurti: Në veri do të ketë ndjekje të kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas incidenteve në Mitrovicën e Veriut dhe në komunat e tjera në veri të vendit.

Kurti ka thënë se në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë.

“Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj”-ka thënë kryeministri.

Kurti ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe Policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites, në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

“Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore”- thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar alarmi në pjesën veriore të Kosovës.