Kurti në takim me Viola von Cramon: Serbia duhet t’i hapë arkivat për të pagjeturit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, kanë diskutuar për takimin e 15 qershorit në Bruksel dhe katër propozimet e paraqitura nga kryeministri Kurti.

Në këtë takim lidhur me çështjen e të pagjeturve, kryeministri ritheksoi se Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të tregojë vendndodhjen edhe të varrezave të tjera që dyshohet se janë në Serbi.

Sipas një njoftimi për media, Kurti dhe von Cramon u pajtuan se dialogu i ri për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një proces konstruktiv dhe i qartë, nga i cili përfitojnë qytetarët.​

Ndër të tjera në këtë takim u diskutua edhe për rëndësinë e tranzicionit në energji të pastër dhe për mbrojtjen e lumenjve.

Von Cramon tha se e çmon angazhimin e kryeministrit dhe të Qeverisë për përkrahjen e projekteve të energjisë së ripërtërishme.

Kurse, Kurti foli për nevojën e një raporti fizibiliteti në fushën e energjisë dhe shtoi se është mirë të ketë një konsensus shoqëror e politik, para se të vendoset për këtë çështje kapitale që prek jetën e brezave të ardhshëm.

Edhe presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon – Taubadel.

Rundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi është mbajtur më 15 qershor të këtij viti. Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut.

Në fund të takimit, zyrtarët kanë bërë të ditur se nuk janë marrë vesh për asnjërën nga temat e ngritura. Rundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.