Kurti në takim me përfaqësuesin e ShBA-ve në OSBE: Propozimi evropian është i pranueshëm
Kryeministri Albin Kurti është takuar sot me Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ambasadorin Michael Carpenter.
Kurti ka thënë se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.
Qeveria njofton se kryeministri ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, teksa kanë folur për proceset dhe çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Vazhdimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit mes dy vendeve dhe OSBE-së dhe zhvillimet politike në vend e situata politike në rajon kanë qenë temat e tjera të diskutuara në takim.
Në këtë takim morën pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier.
Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar të hënën një takim me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ku pas takimit deklaroi se Kosova e pranon propozimin e BE-së si një bazë e mirë për të ecur përpara.
Ky qëndrim i shefit të qeverisë u prit mirë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.
“Shtetet e Bashkuara janë të inkurajuara dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për ta pranuar në parim Propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”- shkruan Hovenier.
BE-ja vitin e kaluar u ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë propozimin, që njihet edhe si propozimi franko-gjerman.