Kurti në takim me ambasadorin britanik: E domosdoshme vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas telefonatës me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, mbrëmë takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka njotuar Zyra e Kryeministrit.

Sipas njoftimit, ata diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugën përpara.

Kurti citohet të ketë thënë se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara.

“Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”- thuhet në komunikatë.

Kryeministri thuhet se falënderoi ambasadorin Abbott për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në thellim dhe fuqizim të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, pasi për më shumë se dhjetë ditë, serbë lokalë po protesojnë në afërsi të komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar edhe mbajtjen urgjente të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një ndër kërkesat e SHBA-së ka qenë që kryetarët e zgjedhur të mos e ushtrojnë detyrën e kryetarëve në objekte komunale por në ndërtesa alternative dhe që Policia e Kosovës të tërhiqen nga objektet komunale.

Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.

Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i zhvendosë zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.

Kurse Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën e kaluar e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.