Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Slloveni më 6 tetor 2021. Foto: Samiti BE-Ballkani Perëndimor

Kurti në Slloveni përmend mosliberalizimin e vizave për Kosovën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përmendur mosliberalizimin e vizave për Kosovën, në hyrje të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet sot në Brdo të Sllovenisë.

“Kanë kaluar më shumë se 3 vjet që prej kur Komisioni Evropian rekomandoi për herë të dytë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ka qenë një padrejtësi e madhe për qytetarët tonë të cilët kanë vuajtur shumë. Ne jemi më shpresë që ky Samit do të bëjë që BE-ja t’i qëndrojë besnikë esencës së vet, e që është zgjerimi. BE-ja duhet të zgjerohet që të jetë Evropë”, tha ai në hyrje të këtij samiti para mediave.

Kurti tha se shpreson që pesë vendet e BE-së që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të bëjnë një gjë të tillë.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor do të takohen sot në Brdo të Sllovenisë në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2021.

Në këtë samit po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga  zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel do të kryesojë samitin. Këshilli i BE-së ka bërë të ditur agjendën e sotme të diskutimeve.

Të mërkurën do të flitet për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, rimëkëmbjen pas COVID-19, paketën e investimeve të BE-së prej 30 miliardë eurosh, rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë.

KALLXO.com sot do të ju mbajë të informuar për zhvillimet gjatë këtij samiti.