Kurti në Shkup: Do të ketë raport zyrtar që do të zbardhë çështjen me presidenten Osmani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të ketë një raport zyrtar nga autoritetet maqedonase në lidhje me incidentin ndaj presidentes Vjosa Osmani pak ditë më parë në Aeroportin e Shkupit.

I pyetur në lidhje me këtë çështje nga gazetarët gjatë konferencës për media që po mbante bashkë me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, Kurti deklaroi se duhet të synohet e vërteta e kësaj çështje dhe kurrsesi tensionimi.

“Padyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes, aq më tepër që ka qenë më familje, me dy vajzat e vogëla. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe hollësi, edhe që të kuptojmë se cka ka ndodhur dhe të mos na përsëriten” – tha Kurti.

“Sjelljet e shëmtuara, shkeljet e rregullave do të zbardhen nga një raport zyrtar pas hetimit të përkatës dhe unë me cfarë kam dëgjuar dhe duke parë komunikatat jam shumë optimist për të ardhmen se nuk do të përsëriten situata të tilla”.

Teksa rasti po cilësohet si skandal diplomatik, dy anë të kundërta janë dhënë nga autoritetet e Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.

Presidenca e Kosovës deklaroi që sigurimi i Aeroportit të Shkupit, duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani.

Sipas Presidencës, kjo nuk ishte pranuar nga presidentja, derisa pas kësaj kishte pasur edhe tentim së shtyrjes fizike nga ana e sigurimit të Aeroportit ndaj presidentes, sa që është dashur të intervenoj Policia e Kosovës.

Ndërsa, autoritetet në Maqedoni të Veriut thanë së telefoni presidentes i është kërkuar për skanim, por më pas në Aeroport erdhën edhe disa policë të tjerë, njëri nga ta sigurim i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e që më pas të njëjtët kërcënuan punëtorët aty.

Zv.kryeministrat e Maqedonisë së Veriut për incidentin e Osmanit, njëri e takon ministren Gërvalla e tjetri reagon për incidentin