Kurti në SHBA takohet me drejtues të kompanive UCX dhe MATTER

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar takimet me drejtues të kompanive të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kësaj radhe Kurti në shtetin Illinois u takua me themeluesin dhe drejtorin Adam Zeck dhe drejtoreshën e shitjeve, Jeta Zagragja, të kompanisë UCX.

Kjo kompani, sipas Zyrës së Kryeministrit, që nga maji i vitit të kaluar, ka filialin e saj edhe në Kosovë.

UCX është kompani lidere në SaaS (Software as a service) që u ofron shërbime mbi 2,500 bizneseve të ndryshme që të zgjerojnë kapacitetet e tyre të shitblerjes online (E-Commerce).

Kryeministri Kurti, gjatë bisedës citohet të ketë thënë se Qeveria e tij e mbështet zhvillimin dhe rritjen e potencialit dhe kapaciteteve të TI.

Ndërsa pas vizitës në kompaninë UCX, kryeministri Kurti u takua me Steven Collens, drejtorin ekzekutiv të kompanisë MATTER dhe Katie Kosko, menaxheren e partneritetit.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Matter është inkubator global i startup-eve në fushën e kujdesit shëndetësor që përbëhet nga ndërmarrës, inovatorë dhe liderë të industrisë që punojnë me 200 startup-e të kujdesit shëndetësor, kompani partnere të 11 spitaleve, pesë universitete dhe mbi 40 kompani lidere të industrisë.

Në këtë takim, sipas ZKM-së,  Kurti foli për përmirësimet në indikatorët ekonomikë dhe të demokracisë, prioritetet e mandatit të tij dhe potencialin e vendit për investime, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit. Duke folur për agjendën e digjitalizimit, ai tha se digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore dhe themelimi i Sistemit Informativ Shëndetësor janë dy prej objektivave kryesore nëpërmjet të cilave synojmë që të transformojmë sektorin e shëndetësisë në vend.