Foto: ZKM

Kurti: Në ShBA nuk shkoj për tri ditë, po për dhjetë ditë ose dy javë

Nisja e kryeministrit Albin Kurti për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdon të shtyhet.

Ndonëse kishte deklaruar që disa muaj se vizita e tij në ShBA do të bëhet në nëntor të 2021, ajo nuk kishte ndodhur.

Pas kësaj, nga kabineti i kryeministrit Kurti kishin thënë se vizita është shtyrë për në fillimin e vitit 2022.

Ndërsa, kur kemi hyrë gati në gjysmën e muajit mars, kryeministri Kurti ka deklaruar se vizita e tij do të ndodhë këtë pranverë.

Derisa shtoi, se vizita e tij nuk do të mjaftohet me 3 ditë, po rreth 2 javë.

“Besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike sepse nuk mund të shkoj për tri ditë atje. Kur të shkoj në ShBA, nuk shkoj për tri ditë, dua të shkoj 10 ditë ose dy javë sepse edhe është një shtet shumë më i madh e shumë më larg, por edhe takimet që du t’i bëjë atje do të jenë edhe më të shumta”, tha fillimisht Kurti.

Sipas tij, për shkak të situatës cfarë është momentalisht, iu është dashtë që vizitën ta shtyjë.

“Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, jemi të detyruar që ta s’postojmë muaj pas muaj”, tha ai.

Vizitën në ShBA, Kurti e ka ndërlidhur edhe me procesin e rishikimit të buxhetit të 2022, duke thënë se nuk e mendon vizitën në këtë shtet aleat, pa u rishikuar në Kuvend, buxheti i këtij viti.

“Por nuk vjen në shprehje rishikimi i buxhetit në mes vit pa shkuar unë në ShBA, sepse po e shoh se ndoshta ju jeni më të interesuar se unë. Edhe unë jam i interesuar që të shkoj, edhe kjo do të ndodhë në këtë pranverë. Edhe jo që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Do të më duhet të qëndrojë pak më shumë se zakonisht ashtu që edhe do të mund të ma bëni pyetjen “e kur do të ktheheni”, u përgjigj kryeministri Kurti në pyetjen e KALLXO.com.

Kurti kishte paralajmëruar vizitë në ShBA, kur në Kuvend ishte pretenduar se atij iu është refuzuar viza nga Ambasada e SHBA-së.