Foto: ZKM

Kurti në Sarajevë, takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 06.12.2024, gjatë qendimit në Sarajevë ka zhvilluar takime të ndara me anëtarin boshnjak të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, njëherësh Kryetarin e Presidencës, Denis Beqiroviq dhe me anëtarin kroat, Zhelko Komshiq.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në dy takime të njëpasnjëshme në ndërtesën e Presidencës, u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mënyrat për të rritur bashkëpunimin tregtar, me ç’rast u shqyrtua mundësia e organizimit të një forumi të përbashkët ekonomik.

Kurti ka theksuar rëndësinë që edhe Bosnje dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen e mobilitetit për lëvizje të lirë e dalë nga Procesi i Berlinit, në mënyrë që përfitimet nga lëvizja e lirë të jenë të dyanshme.

Ndërsa, Komshiq e ka falënderuar Kurtin për heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Vlerësojmë një hap të tillë të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe, për këtë arsye, të pazakontë. Ky veprim sigurisht do të kontribuojë në lidhjen më të mirë të qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimeve të ndërsjella tregtare”- ka shkruar Komshiq në Facebook.

Komshiq ka folur për kritikat e Republikës Sërpska lidhur me vizitën e Kurtit në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Kritikat e supozuara për vizitën e Kurtit dhe takimet që ai ka në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat vijnë nga RS si dhe nga rajoni, dua t’ju kujtoj se RS nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS nuk është përgjegjëse për lëshimin e vizave”- ka thënë ai.

Ndërsa në takimin me Beqiroviq thuhet se u konstatua se të gjithë në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë për forcimin e bashkëpunimit rajonal, paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Lidhur me këto takime, ka reaguar anëtarja serbe e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, e cila ka shprehur pakënaqësinë e saj pas vizitës së sotme të Kurtit, në Presidencën e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Sipas saj, dy anëtarët e Presidencës, Zheljko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, e keqpërdorën këtë ndërtesë për një vizitë private, raporton Klix.ba.

“BiH nuk e njeh Kosovën e vetëshpallur dhe nëse do të donin të rrinin do të duhej të shkonin në një nga lokalet e Sarajevës, jo në ndërtesën e institucioneve të përbashkëta”- theksoi Cvijanoviq.

Sipas njoftimit ZKM-së, pas takimeve në Presidencës, kryeministri do të vijojë vizitën me takime në Këshillin e Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Kurti në këtë viztë po shoqërohet nga zevendeskryeministrja Emilija Rexhepi.

Ai e nisi vizitën në Sarajevë më 5 dhjetor 2024, dhe do të marrë pjesë në konferencën që do të mbahet më 06.12.2024 në Sarajevë nën organizimin e organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur- Krug 99”, pavarësisht paralajmërimeve të Millorad Dodikut, se një vizitë e tillë do të paraqiste provokim për Bosnjë e Hercegovinën.

Vizita e Kurtit në Sarajevë është kundërshtuar nga kreu i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnje, do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.

“Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët e asaj zone të hyjnë me letërnjoftim sepse kjo do të nënkuptonte një njohje të caktuar të të ashtuquajturës Kosovë. Në këtë drejtim kemi lajme se Kurti po arrin në Sarajevë. Kur kemi ndërhyrë dhe kemi thënë se do të ishte një shkas për probleme serioze mes nesh në BeH, ata pastaj erdhën me idenë që ndonjë organizatë joqeveritare ta ftojë atë [Kurtin] në një sesion”- ka deklaruar Dodik.

Në anën tjetër, nga data 01.01.2025, mbajtësit e dokumenteve të identifikimit të Bosnjë e Hercegovinës do të mund udhëtojnë për në Kosovë lirshëm.

Në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë, kërkohet vizë e cila lëshohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm me nënshkrimin e ministrit të Punëve të Jashtme të vendit. Megjithatë, aplikimi për vizë nuk bëhet në Kosovë, por vetëm në Shkup, Beograd dhe në Podgoricë.

Prej vitesh, heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar nga Millorad Dodik, i cili është në krye të Aleancës qeverisëse të Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).

Me gjithë “paralajmërimet kërcënuese” të Dodikut, Kurti do të shkojë në Sarajevë