Kurti në samitin për Ballkanin Perëndimor: S'kemi probleme me popullin serb, por me regjimin e Serbisë

Kosova nuk ka probleme me popullin serb, por me qeverinë e Serbisë. Kështu ka deklaruar kryeministri, Albin Kurti, më 11.06.2024, në samitin “Ballkani Perëndimor 2024”, i cili po mbahet në Prishtinë.

“Problemet që kemi nuk kanë të bëjnë me serbët, por me Beogradin që nuk u distancua as me Millosheviqin e as me Putinin. Pra, problemi është me fqinjin tonë verior, jo si popull, por si qeveri- si regjim”, është shprehur Kurti.

Gjatë fjalimit, ai ka theksuar se Kosova është republikë demokratike. Kurti ka përmendur diskriminimin pozitiv që kanë serbët në Kosovë, mes tjerash 10 vendet e garantuara në parlament si dhe gjuhën serbe si gjuhë zyrtare në Kosovë.

“17% e anëtarëve të Kuvendeve komunale në gjithë republikën janë serbë. Bashkëpunojnë mirë. Ne duam integrimin e serbëve. Shqiptarët janë 93% e popullsisë, por kemi 4% serbë dhe pakica tjera që duam t’i respektojmë”, deklaroi mes tjerash Kurti.

Kryeministri Kurti shtoi se dëshirohet një bashkëpunim i mirë me të gjithë dhe të krijohet republikë demokratike me bazë qytetare.

Sipas tij, në Kosovë ka barrierë gjuhësore, por jo ndarje etnike.

“Na nevojitet të bashkëpunojmë që bizneset të kenë më shumë investime në ekonomi”, shtoi Kurti.

Shefi i qeverisës kosovare shprehu bindjen se serbët e Kosovës po integrohen.

Ai përmendi legalizimin e patentë shoferëve dhe verifikimin e diplomave si hapa drejt integrimit të këtij komuniteti.