Foto: ZKM
Kurti në promovimin e librit për masakrën e Poklekut: Nga rrjedha e gjakut të atij krimi buron edhe titulli i këtij libri
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit monografi për masakrën e Paklekut, “Shtëpia me gjak në mure”, të autorit Afrim Hysenaj, që u organizua në shtëpinë muze të kësaj masakre në Poklek të Drenasit.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti shprehu se kjo pasdite pranvere u përgjak nga forcat e armatosura kriminale e terroriste të Serbisë, të cilët vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga mosha 75-vjeçare deri te foshnja 6 muajsh Liria e deri te gratë shtatzëna.
“Nga rrjedha e gjakut të atij krimi buron edhe titulli i këtij libri që na ka rikthyer këtu në shtëpinë me gjak në mure” – tha kryeministri Kurti më 13.07.2024, duke shtuar po ashtu se ky libër ka përmbledhur përjetimet e të mbijetuarve, dëshmitarëve dhe kujtimet për familjarët. Ai po ashtu potencoi se kujtimet për të vrarët ruhen edhe brenda shtëpisë muze të familjes Muqolli, të muzealizuar me mbështetjen institucionale të Qeverisë së Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti gjithashtu përmendi projektin për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”, dhe përpjekjet e shtetit serb që të zhukte gjurmët e krimit gjenocidal duke i djegur trupat e të vrarëve.
“Ai hi i mbledhur, ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Është edhe thirrje për drejtësi. Edhe ky libër përshkohet nga kërkesa e familjarëve për drejtësi” – u shpreh kryeministri.
Nga Pokleku i Drenasit, kryeministri Kurti bëri thirrje që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë për drejtësi për viktimat e luftës, pra të nis procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës edhe kur ata janë në mungesë.
“Krimet e luftës nuk parashkruhen sikurse që nuk harrohen vuajtjet, dhimbjet e humbjet e familjeve Muqolli nga Pakleku, Caraku nga Dritani (ish-Dobroshevci), Elshani nga Korrotica e Poshtme dhe Hoxha nga Korrotica e Epërme” – përfundoi fjalën e tij, kryeministri Kurti.
KALLXO.com në prill 2024 kishte intervistuar Fadil Muqollin, familjar i viktimave të masakrës së Poklekut të datës 17.04.1999, i cili e ka shndërruar shtëpinë ku ishin vrarë 53 persona, në muze me fotografitë, rrobat e gjësendet e më të dashurve të tij.
Në mesin e të vrarëve ishin 23 fëmijë, nga foshnja gjashtë muajshe deri në moshën 14-vjeçare. Brenda asaj dhome ishin vrarë shtatë anëtarë të familjes së Halil Muqollit, gjashtë anëtarë të familjes së Rrahman Muqollit, gjashtë anëtarë të familjes së Ilmi Muqollit, shtatë anëtarë të familjes së Ramadan Muqollit, shtatë anëtarë të familjes së Ymer Elshanit, katër anëtarë të familjes Caraku, një anëtar i familjes Hoxha dhe një anëtar i familjes së Tafil Muqollit.
‘Ai gjak nuk po ka kë me pritë’