Foto: Lëvizja Vetëvendosje / Facebook

Kurti në Prizren: Janë punësuar njerëz gati sa gjashtë stadiume ‘Fadil Vokrri’ të mbushur plot

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit, në Prizren. 

Duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve të Prizrenit, në fillim të fjalimit të tij, Kurti foli për arritjet për të cilat thotë se janë bërë gjatë mandatit të tij qeverisës. 

“Ne kemi bërë rritje ekonomike e cila nuk është parë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë. Për katër vjet, buxheti, ekonomia janë rritur për 50%”- tha Kurti.

Tutje, ai deklaroi se gjatë qeverisjes së tij është rritur edhe numri i të punësuarve për 80 mijë njerëz.

“Nga 350 mijë të punësuar, tash që po flasim, Kosova katër vjet më vonë i ka 430 mijë të punësuar, apo 80 mijë të punësuar më shumë apo gati gjashtë stadiume të mbushura plot ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë”- u shpreh Kurti. 

Po ashtu, ai tha se sipas Bankës Botërore, po ashtu për më shumë se 25% është  zvogëluar varfëria.

Ai nuk la pa përmendur edhe premtimet në fushën e drejtësisë, për çka prizrenasve u tha se nëse fiton këtë mandat, ‘drejtësinë do ta qesim në binarë’, duke premtuar themelimin e një prokurorie të re speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Për lokomotivën me vagona e kemi hekurudhën, për drejtësinë e kemi Vettingun dhe prokurorinë e re speciale kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit si dhe Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme” – shtoi Kurti. 

Ai përmendi edhe premtimin për rritjen e pagës minimale në Kosovë, për çka tha se në mandatin e ardhshëm do ta bëjë 500 euro. 

Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës mbahen më 09.02.2025.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 17.02.2008.