Foto: Facebook/ Lëvizja Vetëvendosje

Kurti në Prekaz: 28 Nëntori, një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar

Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se 28 Nëntori është një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike prej Skënderbeut në Krujë te Ismail Qemali në Vlorë dhe Adem Jashari në Prekaz.

Këtë deklaratë Kurti e bërë gjatë homazheve bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kabinetin qeveritar në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për nder të 28 Nëntorit.

Kurti tha së kjo ditë nuk është vetëm ditë e gëzimit dhe krenarisë, por edhe e përgjegjsisë për detyrat për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve.

“Kjo është një ditë që na mbush me gëzim, krenari dhe përgjegjësi për shkak se detyrat para nesh për ta ngritur mirëqënien e qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në Republikën tonë, janë më të rëndësishme se kurrë më parë, dhe ne bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi të jemi në nivel të kësaj detyre, që e vazhdon në paqe punën dhe luftën e madhe të atyre që e bënë në kohëra shumë më të vështira se kjo e jona. Përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan e u flijuan për liri, për pavarësi e për bashkim”, ka thënë Kurti.

Ndërsa presidentja Osmani ka uruar shqiptarët duke shpresuar për një të ardhme të ndritur për Republikën e Shqipërisë dhe të Kosovës.

“Duke nderuar sakrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë, i uroj shqiptarët gjithandej për këtë festë tonën të përbashkët duke shpresuar që një ardhme e ndritur e pret Republikën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës”, është shprehur Osmani.