Kurti: Në Planin evropian ka Asociacion

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka diçka që do e bënte propozimin e marrëveshjes së Ohrit të papranueshme.

“Mund të kem problem faktin që mund të ketë edhe gjëra të tjera që do mund të përfshiheshin këtu. Nuk mendoj që ka diçka substanciale që do e bënte këtë propozim të papranueshëm”- u shpreh ai.

Kurti në një intervistë për RTK  tha se në Planin evropian ka Asociacion si dhe foli edhe për nenin 7, ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb.

“Në Planin evropian ka Asociacion, Neni 10 thotë që dy palët konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara. Unë nuk e mohoj që këto marrëveshje duhet të trajtohen me kujdes. Neni 7 i referohet komunitetit serb në Kosovë, edhe për këtë ne kemi qenë kreativ dhe shumë të angazhuar për një çështje të vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe sidomos sa i përket ofrimit të shërbimeve”- shtoi Kurti.

Ai tha se te ky vetëmenaxhim duhet të bëjmë dallim mes strukturave dhe shërbimeve.

“Duhet ta bëjmë dallimin mes strukturave dhe shërbimeve, në letrën e bërë publike të Chollet dhe Escobar më 30 janar e vënë në spikamë jo struktura, por shërbime që ofrohen nga komunat sepse në fokus është qytetari, mendoj që kjo mund të zgjidhet për të mirën e serbëve në Kosovë pa rrezikuar rendin juridik e kushtetues”- shtoi Kurti.

Kryeministri madje potencoi se  dallimi mes vetëmenaxhimit dhe Asociacionit është se vetëmenaxhimi nuk është vetadministrim apo vetëqeverisje dhe se këtu flitet për komunitet serb jo komunat.