Kurti: Në pikën 7 thuhet vetëmenaxhimi i komunitetit serb, jo i komunave

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti teksa ka folur sot për pikën e shtatë të marrëveshjes së dakorduar me Serbinë ka thënë se bëhet fjalë për një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb e jo të komunave.

Sipas tij, kjo nuk është e njëjta gjë, pavarësisht se nuk janë krejtësisht të ndryshme.

“Në pikën 7 të marrëveshjes bazë, thuhet një nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb, thuhet komunitetit jo komunave, komuniteti nuk është kategori territoriale, komunat janë njësi territoriale dhe administrative. Pra nuk është e njëjta gjë, unë e kuptoj se nuk janë krejtësisht të ndryshme ose të palidhura. Nga pikëpamja ime e fuqishme kur themi komuniteti serb atëherë automatikisht shkojmë te marrëveshja kornizë për mbrojtje të pakicave sipas Këshillit të Evropës”- tha ai.

Për marrëveshjen e Ohrit, Kurti tutje tha se është Bashkimi Evropian ata që duhet të sigurohen që marrëveshja e dakorduar të mos mbetet vetëm tekst në letër.

“Unë besoj që BE duhet të dëshmohet tani, ne kemi marrëveshje, kishim marrëveshje më 27 shkurt, të dyjat janë marrëveshje janë konstatuar nga Borrell e Lajçak, pra BE po thotë që është marrëveshje, në anën tjetër kemi deklarata e palës serbe që nuk e ka ndërmend të zbatoj diçka, por ne nuk mund të merremi me këtë, është ndërmjetësuesi, tash BE duhet të siguroj që nuk mbetet tekst në letër”- u shpreh Kurti.

Kurti është shprehur se nuk e mohon se për këtë cështje janë bërë dy marrëveshje nga paraardhësit e tij në Qeveri.

Ai tha se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 janë shumë të cenuara në të kaluarën.

“Ne nuk e mohojnë qe janë bërë dy marrëveshje nga paraardhësit tanë, por që të dy ato marrëveshje janë të cenuara në të kaluarën. Është shkelur edhe pika e 14 e asaj marrëveshje ku thuhet se Kosova dhe Serbia nuk e pengojnë njëra tjetrën për integrim evropian. Marrëveshja e vitit 2013 nuk e mohojmë që ekziston por është shkelur dhe gjithashtu marrëveshja e 2015-tës që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në 23 nene gjithsej”- tha Kurti në konferencë para gazetarëve.

Më 18 mars nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për zbatimin e planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi i njohur si plani franko-gjerman.

Ky plan nuk është nënshkruar si marrëveshje nga palët, për çka kryeministri Albin Kurti ka thënë se pala serbe nuk ka qenë e gatshme.

Një ditë më vonë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.