
Kurti në Pejë: Me qeverisjen tonë Kosova u bë shtet i taksapaguesve të rregullt
Lëvizja Vetëvendosje më 13.01.2025 e ka vazhduar fushatën elektorale me një tubim të organizuar në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij tha se fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka fuqi që mund ta ndalë, pasi sipas tij, populli tashmë ka vendosur.
Ai ka thënë se katër vite kanë qeverisur mirë, bashkë dhe drejt, duke theksuar se më 2024 bruto produkti është 30 për qind më i madh se në vitin 2021.
Kurti nga Peja ka përmendur edhe opozitën, duke e kritikuar për borxhet që i kanë trashëguar nga qeveritë e kaluara.
“Ne vendosim rekorde në fusha të jetës e të punës, opozita vendos rekorde në analista të studiove televizive. Ne veprimtarë, ata analistë. Ne në frymë e në fakte, ata në rrena e shpifje. Një nga rekordet më domethënëse, ne e ngritëm numrin e të punësuarve në vendin tonë, andaj le ta thyejmë edhe këtë rekord më 9 shkurt dhe ta thyejmë rekordin në punësim” – u shpreh Kurti.
“Kosova me qeverisjen tonë të mirë u bë shtet i taksapaguesve të rregullt jo më shtet i pronarëve të mëdhenj”- tha tutje ai.
Ndërsa, kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, i ka falënderuar të pranishmit për prezencën, duke u kërkuar gjysmë milion vota në Kosovë e mërgatë të cilat, sipas saj, bëjnë fitoren e madhe.
Gërvalla tha se “opozita ka zgjedhur të jetë kundër qytetarëve në veri, duke i ofenduar e pranuar realitetin e ri – sundimin e ligjit”.
Gjatë qëndrimit në Pejë, Kurti ka zhvilluar disa takime. Ai ka vizituar familjen e dëshmorit të kombit, Shpëtim Bojku.
Kurti përmes një postimi në Facebook tha se sakrifica e Bojkut dhe e të gjithë të rënëve për liri mbetet frymëzim i përhershëm për të punuar me përkushtim për Republikën.
“Sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve është themeli i shtetit dhe i lirisë që e gëzojmë. Nderimi për veprën e tyre është i përhershëm siç është edhe mirënjohja për familjet e tyre. Në Pejë vizituam familjen e dëshmorit të kombit, Shpëtim Bojku. Një luftëtar i dalluar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me trimëri e përkushtim të pashoq luftoi për çlirimin e atdheut. Në betejën e lavdishme të Koshares, duke luftuar ballë për ballë me forcat serbe, më 28 prill 1999, Shpëtim Bojku ra heroikisht në fushëbetejë” – ka shkruar Kurti.
Ndërsa bashkë me ministrin Elbert Krasniqi kanë vizituar një familje të komunitetit egjiptian në Treboviq.
Kryeministri shtoi se e kanë rritur mbështetjen për studentë dhe nxënës dhe i kanë shtuar vendet e punës bashkë me krijimin e skemave sociale në mbështetje të tyre.
Lëvizja Vetëvendosje tubime të tilla ditëve të kaluara ka organizuar edhe në Mitrovicë e Gjakovë.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet e 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.