Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Kurti në Pejë: Kjo lloj opozite e lyp fatin te ndonjë ndërkombëtar i cekët, jo te populli

Në tubimin e mbajtur në Pejë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka folur për mbështetjen e ofruar për qytetarët gjatë mandatit të tij qeverisës, ndërsa ka premtuar funksionalizimin e “Boreas” dhe investime të tjera në Bjeshkët e Rugovës.

Më 06.02.2025, Kurti e përmendi opozitën në Kosovë duke thënë se ata po e lypin fatin te ndonjë ndërkombëtar e jo te populli.

“Opozita beson te ndonjë ndërkombëtar i cili lodhet kur e sheh Kosovën në këtë ekuacion gjeopolitik, thotë: pse me humb kohë me ta? Kjo lloj opozite e lyp fatin me qiri te ndonjë ndërkombëtar i cekët, e jo në thellësinë historike të popullit tonë ku gjithmonë gjenden zgjidhjet. Këta të cilët këqyrin me gjetë naj zyrtar amerikan me jua sha kryeministrin e Republikës së tyre, këta nuk duhet kurrë të kthehen”- ka thënë Kurti.

Ai tutje i ka akuzuar ish-qeveritarët për korrupsion e nepotizëm, ndërsa ka thënë se LVV po ia kthen pronat shtetit.

“Ne edhe në ditët e fundit të mandatit tonë po ia kthejmë pronat shtetit. Ata edhe homologimin dojshin me ua lanë fëmijëve të vet. Rinisë edhe fëmijëve duhet me ia garantu sigurinë karshi Serbisë dhe që të gjitha keqpërdorimet do i kthehen Kosovës. Poshtë klanet e Kosovës! Nuk ka qenë rendi që në Kosovën e varfër të shkatërruar dikush me u pasuru e me bë miliona. Ku po don në maxhe të fukarasë me i shti durtë, në hambarin e bujkut që ia kanë vra me bagëti e me familje, ti po don me shku me ia marrë tokën, me 300 euro ari, më falni – hektarin, se arin me 3 euro e kanë marrë”- u shpreh ai.

Kurti ndër të tjera ka folur edhe për raportet me Serbinë, duke u shprehur se ‘kojshia i keq e don pushkën e mirë dhe pushkën plot’.

“Ata që dikur nguteshin në negociata, po e vinin në dyshim Kosovën, ndërsa ne jemi ngutur në forcim të sigurisë së kufijve të Kosovës. Ne e kemi një kojshi të keq, po ia kemi gjetë çarenë. Kojshia i keq e don pushkën e mirë dhe pushkën plot. Ne kojshinë e keq nuk mujmë me qitë prej shtëpisë së tij, se ata edhe NATO i ka bombardu para çerek shekulli, po përtej gardhit mujna me e qitë, e kena qitë e se lëmë me u kthy”- ka thënë Kurti.

Ai zgjedhjet e 9 shkurtit i ka quajtur referendum.

Kurti ka përmendur mbështetjen e ofruar për qytetarët gjatë mandatit të tij qeverisës, ndërsa ka premtuar funksionalizimin e “Boreas” dhe investime të tjera në Bjeshkët e Rugovës.

“Gjatë këtyre katër viteve ekonominë e kemi nda aty ku më së shumti ka nevojë, gratë, fëmijët, pleqtë e të sëmurit. Cep më cep ia kemi bashkëngjitur territorit tonë sovranitetin. Ne do ta bëjmë Brezovicën. Do ta bëjmë edhe “Borean” këtu në Pejë, sepse për turizëm i kemi dy vargmale, të Sharrit dhe të Rugovës. Do të investojmë në teleferik”- ka thënë ai.

Kurti tutje ka premtuar mbështetje për ndërmarrësit nga diaspora dhe transportin publik me biletë të integruar mujore në vlerë prej 10 eurove.

Ndërsa ka folur edhe për Ligjin për Fondin Sovran, i cili është dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

“Kryetari i Komunës që është këtu, partia e tij e quanin projekt komunist, ndërkohë SHBA po themelon Fond Sovran. Veç vonim se pshtim nuk ka, Fondi Sovran do të bëhet”- ka thënë ai.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.