
Kurti në Obiliq: Vetëm për dy vjet, KEK-ut ia kemi shtuar 745 punëtorë të rinj
Lëvizja Vetëvendosje në vazhdën e aktiviteteve të fushatës për zgjedhjet që pritet të mbahen më 09.02.2025 ka mbajtur tubim në Obiliq.
Sipas faqes zyrtare të LVV-së, kandidati për deputet nga kjo parti, Halil Thaçi, ka thënë se gjatë katër viteve në qeverisje është punuar në punësim, barazi, zhvillim dhe sovranitet.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, u shpreh se ashtu siç është shtëpia për familjen, është edhe shteti për popullin. Ai theksoi se si qeveri kemi zhvilluar ekonominë dhe kemi mbrojtur sovranitetin e Republikës cep më cep territorit”- thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas njoftimit, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, gjatë këtij tubimi ka theksuar se Qeveria e tij ka investuar në KEK dhe në komunën e Obiliqit, duke thënë se kanë hapur vende të reja të punës.
“Vetëm për dy vjet, KEK-ut ia kemi shtuar 745 punëtorë të rinj. E prej këtyre 745 punëtorëve të rinj, mbi 400 janë banorë të Kastriotit; pra, më shumë se gjysma e të punësuarve të rinj në KEK janë nga komuna juaj e dashur. Ky nuk është favorizim, kjo është drejtësi, është meritë. Kush më mirë se banorët e Kastriotit e njeh KEK-un dhe terrenin e tij? Kush punon me më shumë zell për KEK-un sesa banorët e Kastriotit? Askush.44 gra, ose 22% e të gjitha grave që punojnë sot në KEK, janë punësuar gjatë mandatit tonë qeverisës. Ndërkaq, në mandatin e ri do të kemi programe të reja, posaçërisht për gra e vajza, për punësim në sektorin e energjisë dhe në KEK. Ne punësojmë në KEK, sepse ne investojmë në KEK”- citohet të ketë thënë Kurti, sot më 20.01.2025.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.