Kryeministri Albin Kurti dhe kardinali Pietro Parolin, Foto: ZKM

Kurti në New York kërkon që Shteti i Selisë së Shenjtë ta hap misionin e tij në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të qëndrimit të tij në New York ka takuar Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin, më 27.09.2024.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi i kryeministrit Kurti dhe kardinalit Parolin, ishte mundësi shumë e mirë për të vijuar diskutimet mbi çështjet dhe fushat që bashkëpunimi i deritanishëm në mes Kosovës e Shtetit të Selisë së Shenjtë të fuqizohet edhe më tej.

Selia e Shenjtë është organi qendror drejtues i Kishës Katolike dhe shtetit të Vatikanit.

“Me themelimin e misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan, që shënon avancim të raporteve bilaterale, Republika e Kosovës dhe Selia e Shenjtë kanë treguar vullnetin për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, më 27.09.2024.

Ndërkaq, Vatikani është një nga shtetet që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Kurti e ka njoftuar sekretarin Parolin rreth mbështetjes dhe mbrojtjes institucionale që Kosova i ofron objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare. 

“Ai gjithashtu foli për përkushtimin e Republikës së Kosovës për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare, dhe për politikat sociale dhe masat e punësimit të qeverisë. Kryeministri theksoi që Republika e Kosovës është vend i të gjithë qytetarëve të saj dhe që, në këtë drejtim, Qeveria punon në sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë drejt zhvillimit ekonomik të sigurt” – njofton Zyra e Kryeministrit.

Pasi e ka falenderuar për takimin dhe për mikpritjen që i ishte bërë atij në Selinë e Shenjtë në qershor të vitit të kaluar, Kurti e ka ftuar sekretarin Parolin që sikurse Kosova, edhe Selia e Shenjtë ta hap misionin e saj në Kosovë.

Në anën tjetër, dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti janë duke qëndruar në Amerikë, pasi po marrin pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.