
Kurti: Në ndërtesën e komunës së Zveçanit policia ka gjetur fotografinë e Vladimir Putin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar se kur Policia e Kosovës është futur në ndërtesën ë Komunës së Zveçanit ka gjetur fotografinë e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Ndërtesat kanë qenë të braktisura nga struktura paralele, ta zëmë në Zveçan kur ka hyrë policia jonë e ka gjetur fotografinë e Vladimir Putinit. Vladimir Putini nuk është kryetar komune me të cilin është binjakëzuar Zveçani” – tha Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, problemi këtu është i thellë, ‘por ky problem nuk zhduket nëse i mbyllim sytë, ky problem duhet demaskuar, denoncuar dhe zgjidhur’.
Në fund Kurti tha se fotografia e Putinit nuk është më në ndërtesën e Zveçanit.
Kuvendi sot ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për situatën në veri të vendit, dhe raportet me SHBA-të.
Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.
SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.
SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.
Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.
Dje, Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.