Kurti në Mitrovicë kritikon ish-Qeveritë: Për rritje ekonomike jemi tri herë më të shpejtë

Lëvizja Vetëvendosje, më 12.01.2025, në ditën e dytë të fushatës për Zgjedhjet e 09 shkurtit 2025 ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Mitrovicës.

Kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti duke i kritikuar partitë që kanë udhëhequr në të kaluarën, ka folur, sipas tij, për të arriturat e Qeverisë Kurti në Mitrovicë të Veriut gjatë katër vjetëve qeverisje.

“Kemi shtuar gati dyfish më shumë vende pune, sesa këta para neve për 8 vjet. Për çdo vit ia kemi shtuar ekonomisë nga 1 miliardë euro, e atyre para neve iu nevojiteshin 3 vjet për 1 milion. Për rritje ekonomike jemi tri herë më të shpejtë se ata. Për punësim jemi katër herë më të shpejtë. Ne punojmë më shumë. Ne ecim më shpejt.” – ka thënë ai.

Ai ka thënë se “nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më, sundim të bandave kriminale, qarkullim të targave ilegale, ngritje të barrikadave, e prodhim të kriptovalutave”.

Ndërsa, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se Qeveria Kurti ka dalë fitimtare në veri të Kosovës.

“Këtu do të jetë vendi që të tjerëve do t’iu dëshmojmë që 4 vjetët e ardhshme ku puna jonë do të jetë me e madhe dhe do të triumfojë. S’ka më barrikada, alarme e kamera ilegale banda e kriminelë. Këtu në Kosovë ka rend dhe ligj, sovranitet e integritet, siguri… cep më cep këtu në veri e në çdo cep të Kosovës.” – u shpreh ai.

Kurse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se më shumë se gjithçka tjetër LVV duan që në Kosovë të ketë drejtësi.

“Me këtë Qeveri që ka përgjegjësi, dije dhe dinjitet të vazhdojmë mandatin tonë, që të sjellë drejtësi për punë të paligjshme, konfiskimin e pasurisë ku po kanë frikë shumë oligarkë të opozitës.” – tha ajo.

Kandidati për deputet i LVV-së, Armend Muja tha se ditën e kanë filluar në Bistricë, më pas në Vernicë, Broboniq, Shupkovc, Bajgorë. Ndërsa njoftoi se janë takuar edhe me minatorë të Trepçës.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën e 9 shkurtit 2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Mërgimtarët kanë nisur më 09.01.2025 të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.