Foto: LVV/Facebook

Kurti në Mitrovicë: Do të ndërtojmë spital të ri dhe Trepçën do ta fusim nën ombrellën e Fondit Sovran

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën elektorale në Mitrovicën e Jugut për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025.

Në fjalimin e tij në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë, kandidati për kryeministër nga radhët e LVV-së dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, theksoi se rritja e ekonomisë, shpërndarja e mirëqenies dhe shtrirja e sovranitetit janë ardhmëria e dëshiruar që tashmë po ndodh.

“E luftuam me shumë sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin, u mbyllën dhjetëra laboratorë të drogës e prodhime ilegale të kriptovalutave, u mbyllën dhjetra rrugë ilegale e u vendos rend në çdo cep të territorit të vendit. E tash, në veri të Kosovës, edhe paguhet energjia elektrike që konsumohet, edhe janë shuar strukturat ilegale të Serbisë, e kriminelët e tyre, nëse s’janë vrarë, ose janë në burg ose janë arratisur jashtë prej vendit tonë” – theksoi kryeministri Albin Kurti më 01.02.2025.

Kurti premtoi se do të ndërtojnë spital të ri në Mitrovicë dhe Ferizaj, e sa i përket Trepçës, tha se do ta fusin nën ombrellën e Fondit Sovran.

“Si dhe do t’ia zgjerojmë prodhimin përmes hapjes së punishteve të reja të nxjerrjes së zejes, duke ia rikthyer edhe industrinë e plumbit dhe të zinkut. Njëkohësisht, foli edhe për përfundimin e rrugës Mitrovicë-Prishtinë dhe stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë” – ka shtuar Kurti.

Në tubimin e mbajtur në Mitrovicë, kryeministri Kurti prezantoi gjashtë kandidatë nga lista e LVV-së, Faton Pecin, Arjeta Fejzën, Agim Bahtirin, Hasime Tahiri Hasanin, Sanije Rexhën dhe Armend Mujën.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.