Foto: ZKM
Kurti në Kroaci flet për sulmin në Ibër - Lepenc: Gjithçka tregon se nuk e kanë bërë qytetarët e zakonshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Kroaci më 13.12.2024, tha se kufiri i Kosovës me Serbinë, është më i vështiri për t`u mbrojtur në përpikmëri gjatë gjithë kohës.
Ai ka folur për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e Lbër – Lepencit duke thënë se ky sulm ka natyrë më ndryshe se sulmet e mëparshme, pasi sipas tij ka qenë në shënjestër është popullsia civile.
Ndërsa tha se, Kosova konsideron që sulmin nuk e kanë bërë qytetarë të zakonshëm, por është mbështetur e orkestruar nga Serbia.
“Janë arrestuar disa persona, hetimet janë duke u zhvilluar, kemi konfiskuar municion por edhe uniforma e emblema 20 prej të cilave që janë prej njësive ruse. Duhet të presim cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve, por ne kosniderojmë që ketë nuk e kanë bërë qytetarë të zakonshëm, dhe se na bën të besojmë që një sulm i tillë vjen i mbështetur e orekstruar nga Serbia”- u shpreh ai.
Kurti teksa foli për vështirësinë e ruajtjes së kufirit, tha se Kroacinë e sheh partner kyç.
“Kufiri që kemi me Malin e Zi, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut është më i shkurtës se kufiri që kemi me Serbinë, i cili është përkatësisht me reliev malor, e që kemi vështirësi në ruajtjen e tij të përpiktë gjatë tërë kohës. Gjithsesi ne po ngrisim kapacitetet tona, për këtë kemi bashkëpunim me vendet partnere, aleate, që janë anëtare të NATO-s, e ku ne te Kroacia shohim një partner kyç”- tha Kurti.
Edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka folur për sulmin në kanalin e Ibër – Lepencit duke thënë se faktorëve të bashkësisë ndërkombëtare do të iu bëhet e qartë se çfarë ka ndodhur.
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, tutje Plenkoviq deklaroi se incidentet që kanë ndodhur se fundmi në veri janë marrë me shumë shqetësim nga Kroacia.
Sulmi që kishte dëmtuar kanalin e ujit të “Ibër -Lepencit” ka ndodhur më 29.11.2024 dhe ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin e “Ibër – Lepencit” në komunën e Zubin Potokut.
Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.
Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024, në ora 01:30h.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën paraprake. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, e ka dënuar po ashtu shpërthimin në Zubin Potok.