Foto: ZKM

Kurti në Konferencën e Sigurisë në Gjermani: BERZh partner i rëndësishëm i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë e cila po mbahet në Mynih të Gjermanisë.

Pjesëmarrjen në këtë konferencë Kurti e ka filluar duke takuar Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Odile Basso.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet se Kurti e Basso diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm të Qeverisë së Kosovës dhe BERZh-it.  “

Kryeministri Kurti falënderoi presidenten e BERZh-it, znj.Basso për mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion i ka dhënë Kosovës ndër vite. Ai shtoi se te BERZh-i, Qeveria e Republikës së Kosovës sheh një partner të rëndësishëm në realizimin e qëllimeve të saj në zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht në fushën e transportit, digjitalizimit, energjisë dhe sektorit privat”- thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Tutje në këtë njoftim thuhet edhe se duke theksuar zhvillimin ekonomik dhe demokracinë cilësore në vend, Kryeministri Kurti veçoi trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore.

Kryeministri Kurti sipas njoftimit për media, e ka njoftuar presidenten Basso edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar, si dhe në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2022.

“Presidentja Basso e uroi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për suksesin në luftën kundër korrupsionit. Ajo shprehu përkushtimin e BERZh-it për të bërë edhe më shumë në mbështetje të Kosovës, me theks në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe të efiçiencës së energjisë dhe sektorin privat”- thuhet në njoftim.