Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Kurti në Kamenicë: Ata nuk kanë ku të kthehen, sepse shteti i Kosovës dhe karakteri i tyre nuk përputhen më

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare, ka mbajtur tubim elektoral në Kamenicë.

Kurti ka thënë se mbështetja e Qeverisë për komunat, për qytetarët përmes buxhetit nga njëra anë dhe masave të punësimit, do të vazhdojnë edhe më tej, duke kontribuar direkt në zhvillimin e komunës dhe mirëqenien e qytetarit.

“Me mbështetje prej 7 milionë eurosh, mbi 2800 fermerë janë subvencionuar. 850 nëna lehona kanë përfituar shtesa. Më shumë se 200 të rinj janë punësuar dhe mbi 6000 pensionistë po përfitojnë rritje të pensioneve me 20%. Gjatë katër viteve të fundit janë realizuar mbi 50 projekte me një vlerë prej 32 milionë eurosh në arsim, sport dhe infrastrukturë rrugore”- ka thënë Kurti.

“Ata nuk kanë ku të kthehen, sepse shteti i Kosovës dhe karakteri i tyre nuk përputhen më”- theksoi Kurti duke aluduar në ish-pushtetarët.

Kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj, theksoi rëndësinë e përparësive që i jepet grave dhe familjes në politikat qeveritare.

“Siç e keni parë, ky vit është shpallur ‘Viti i Gruas’ nga Kryeministri Kurti, dhe gjatë këtij viti do të ndërmerren politika edhe më të fuqishme për fuqizimin e gruas. Çdo votë ka peshë të madhe. Deri tani, mbi 60 mijë lehona kanë përfituar, fëmijët po mbështeten për herë të parë në Kosovë, aftësimi profesional dhe punësimi i grave ka përfshirë mbi 12 mijë përfituese”- ka thënë ajo.

Kryetari i komunës, Kadri Rahimaj ka thënë se Qeveria Kurti ka shënuar arritje të jashtëzakonshme, shumë më shumë se ato që janë bërë në mbi dy dekada nga pushtetet e kaluara, si në infrastrukturë rrugore, arsim, qendra rinore, qendra sportive, punësim e shumë dimensione të tjera.

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.