Albin Kurti dhe Armend Mehaj gjatë vizitës në Gardën Kombëtare të Iowa-s | Foto: ZKM

Kurti në Gardën Kombëtare të Iowa-s, kërkon vazhdimin e mbështetjes për FSK-në

Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Iowa ka takuar komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell, të cilit i ka kërkuar që mbështetja për ngritjen profesioanle të FSK-së, të vazhdojë edhe me tutje me të njëjtin ritëm.

Shefi i qeverisë është duke qëndruar tash e disa ditë në Amerikë, ndërsa sot është duke zhvilluar takime në Ioëa.

“Në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell, në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kërkoi që mbështetja për ngritjen profesionale të FSK-së të vazhdojë me të njëjtin ritëm”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.

Kurti është shprehur mirënjohës për shërbimin e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Iowa-s në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe për kontributin e deritashëm për Forcën e Sigurisë.

“Synimi ynë është të kemi Forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese në mbrojtje të vendit dhe të jetë e ndërveprueshme me partnerët dhe aleatët në ruajtjen e paqes në botë”, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti.

Bashkë me Kurtin në këtë takim ka qenë edhe ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Koloneli i FSK-së, Ejup Maqedonci.

Sot gjatë ditës, kryeministri Kurti ka takuar edhe pjesëtarë të FSK-së që janë duke marrë trajnime në Gardën Kombëtare të Iowa-s.

Kurti dhe Mehaj takojnë ushtarët e FSK-së në Iowa