Kurti në fundjavë mblodhi kabinetin qeveritar për programin qeverisës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka njoftuar se të shtunën dhe të dielen, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, kanë zhvilluar punëtorinë për hartimin e Programit Qeverisës dhe Planin e Veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes.

Sipas njoftimit të Kurtit, së shpejti, këto dokumente që përcaktojnë prioritetet e tyre në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim.

“Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht. Së shpejti, këto dokumente tejet të rëndësishme që përcaktojnë qartë prioritetet tona në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim”, thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

“Qytetarët kanë votuar për ndryshim. Me vullnetin e tyre ata kanë mundësur ndryshimin, kurse me punën tonë, qeveria jonë do ta jetësojë ndryshimin. Programi ynë qeverisës do të reflektojë kërkesat, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, për përmbushjen e të cilave ne do të angazhohemi me përkushtim”, përfundon postimi.