Foto: ZKM
Kurti në Forumin Ekonomik të Vjenës: Me përjashtim të Serbisë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose janë pjesë e NATO-s ose e kanë NATO-n brenda tyre
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin e 21-të të Forumit Ekonomik të Vjenës më 04.11.2024, ku ka theksuar se për Kosovën bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike por është domosdoshmëri strategjike.
Në adresimin e tij hyrës, kryeministri fillimisht theksoi rolin e rëndësishëm të Austrisë dhe partneritetin e saj me Kosovën para dhe pas pavarësisë së vendit.
“Duke nënvizuar arritjen e marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtete anëtare të EFTA-s dhe avancimin në përfaqësimin e Kosovës në CEFTA, ai u shpreh se për Kosovën, bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike; është një domosdoshmëri strategjike. Suksesi dhe përparimi ynë varet nga aftësia jonë për të krijuar një mjedis që nxit tregtinë ndërkufitare, tërheq investime dhe ndërton ura me vendet fqinje”- ka thënë Kurti sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit.
Kurti ka thënë se progresi i Kosovës është i ndërlidhur me progresin e vendeve fqinje, prandaj janë të përkushtuar që të punojnë së bashku.
“Me përjashtim të fqinjit tonë verior, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose janë pjesë e NATO-s ose e kanë NATO-n brenda tyre, dhe të gjitha duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian”- ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se ka nevojë për bashkëpunim ekonomik, jo vetëm sepse jep qëndrueshmëri për t’u përballuar me kriza dhe tronditje, por sepse duam të heqim barrierat dhe të krijojmë mundësi të reja për qytetarët.
“Ne nuk e shohim bashkëpunimin ekonomik si një lojë zero-sum, por si një mundësi për arritje të përbashkëta. Partneritetet e qëndrueshme janë ato që bazohen jo në komoditete ose mallra, por në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Kur i bëjmë bashkë demokracinë dhe ekonomisë, besoj se fitojmë atë që na nevojitet më shumë: sigurinë ekonomike duke ruajtur dinjitetin njerëzor”- u shpreh Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.