Kurti në Drenas: Ju kërkojmë falje që u vonuam sepse në Skenderaj na pritën me fishekzjarre, entuziazëm shtesë për fitoren e 9 shkurtit

Pas tubimit që u shoqërua me protesta nga disa qytetarë në Skenderaj, Lëvizja Vetëvendosje më 27.01.2025 e ka vazhduar fushatën në Drenas.

Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, e nisi fjalimin në Drenas duke thënë se në Skenderaj ka pasur pjesëmarrje me të madhe sesa ka pritur.

“Ne ju kërkojmë falje që u vonuam sonte meqë në Skenderaj pati pjesëmarrje më të madhe në tubim sesa që e kishim menduar. Na pritën edhe me fishekzjarre e me petarda. Entuziazëm shtesë për fitoren e 9 shkurtit”- u shpreh Kurti.

Ai tutje ka folur për të arriturat e Qeverisë së drejtuar prej tij, duke thënë se janë duke i eliminuar politikanët himni i të cilëve “nuk është rreth flamurit të përbashkuar, por rreth korrupsionit të përbashkuar”.

Sipas Kurtit, opozitarët po i ndan paraja.

“Rritjen ekonomike që reflektohet në 50 për qind bruto produkt vendor. Rekord të investimeve kapitale ka pasur vitin e kaluar. Mbështetja jonë është reflektuar edhe në Drenas. I kemi izoluar dy ndërtesa shumëbanesore sociale, ndërsa i kemi rinovuar nëntë shkolla. Rreth 2,500 nëna lehona kanë fituar shtesa. Pensionistët e Drenasit kanë përfituar 20% rritje nga janari”- ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur sot, më 27.01.2025, në ora 18:00, një tubim zgjedhor në Skenderaj.

Disa qytetarë janë mbledhur në qendër të Skenderajt dhe kanë protestuar kundër tubimit të LVV-së dhe pranisë së kryeministrit Albin Kurti.

Ata kanë thirrur “Thaçi, Thaçi”, “PDK, PDK”, “Sami Lushtaku”, si dhe kanë hedhur mjete piroteknike drejt vendit ku po mbahej tubimi zgjedhor i LVV-së.

Përmes një postimi në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se “në tokën e heroizmit e të krenarisë, aty ku shumëçka flet për luftën dhe sakrificën, mbështetës si asnjëherë më parë u mblodhën për ta pritur Kryeministrin Albin Kurti”.