Kurti: Në ditën kur u votua Qeveria, Thaçi i ftoi minoritetet të shkonin në Brezovicë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se presidenti Hashim Thaçi më 3 shkurt, në ditën kur u votua Qeveria, ka tentuar t’i bindë deputetët e pakicave joserbe që të mos shkojnë në seancë.

Në një intervistë dhënë për KTV, Kurti thotë se Hashim Thaçi i ka takuar deputetët e pakicave joserbe dhe u ka kërkuar që të shkojnë në Brezovicë dhe të mos votojnë në Kuvend, kur votohej Qeveria.

“Në paraditen e 3 shkurtit, pakicat joserbe i ka thirrur presidenti aktual dhe u ka thënë ejani shkojmë për drekë në Brezovicë, mos rrini në Kuvend sepse do të dështojë Kurti, meqenëse ka deputetë të LDK-së që nuk do ta votojnë, e pastaj në herën e dytë ia japim LDK-së, e pastaj ju merrni shumë më shumë se që po ju jep Kurti”, tha Kurti në këtë intervistë.

Qeveria Kurti u votua më 3 shkurt, kurse u rrëzua nga partneri qeverisës, LDK, përmes një mocioni të mosbesimit në Kuvend më 25 mars.

Partnerët e koalicionit gjatë këtyre muajve të bashkëqeverisjes kishin pasur vazhdimisht mosmospajtime.

Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Finalja e kësaj krize nisi me një deklaratë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.