Kurti në Ditën e Europës: Ne shikojmë kah Bashkimi Europian, BE-ja duhet të kujdeset për ne

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar Ditën e Europës, duke deklaruar se Kosova shikon kah Bashkimi Europian.

“Ne shikojmë kah Bashkimi Evropian. BE-ja duhet të kujdeset për ne. Ballkani Perëndimor dhe BE-ja janë ekonomikisht dhe gjeopolitikisht, historikisht dhe kulturalisht, shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin. Progresi Evropian varet nga të kuptuarit e kësaj”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka shtuar se ndërsa shënohet këtë ditë, të kujtohet se paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit të dhunshëm, por prania aktive e drejtësisë së vërtetë.

“Një paqe e drejtë me një shtet të mirëqenies që funksionon për të gjithë pa marrë parasysh kombësinë, fenë dhe gjininë”, ka shkruar mes tjerash ai.

Dita e Europës edhe këtë herë e gjenë Kosovën pa liberalizim të vizave dhe të mosnjohur nga pesë shtete anëtare të BE-së.
Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Albin Kurtit, në Facebook:

Për 9 majin – Ditën e Evropës!

Shtatëdhjetë vjet më parë, Evropa ishte ende duke pastruar rrënojat e lëna nga Lufta e Dytë Botërore. Dhimbja dhe vuajtja ishin të mëdha, urrejtja dhe mosbesimi ishin mbizotëruese.

Duke u bazuar në përvojat e së kaluarës, shumë kishin frikë se paqja në Evropë ishte vetëm e përkohshme, dhe se një konflikt tjetër midis Francës dhe Gjermanisë me përfshirje edhe të vendeve tjera ishte i gjasshëm. Por, një njeri që kishte provuar shkatërrimin e fuqishëm të luftës dhe i cili kishte parë anën e errët të arsyes njerëzore, kishte një ide radikale. Aty ku të tjerët panë luftë të pashmangshme, ai pa mundësinë për paqe dhe bashkëpunim, dhe ku të tjerët panë konkurrencë ku fitorja e njërit është humbja e tjetrit, ai pa mundësinë që të gjithë të fitonin.

Më 9 maj 1950, Robert Schuman, Ministri Francez i Punëve të Jashtme, i propozoi një plan Kancelarit Gjerman Konrad Adenauer, i cili u përpoq të vinte prodhimin franko-gjerman të qymyrit dhe çelikut të përdorur për prodhimin e armëve shkatërruese, nën një autoritet më të lartë. Ky autoritet u njoh si Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), i cili vendosi themelet për një Evropë paqësore dhe të bashkuar, të cilën sot e quajmë Bashkimi Evropian.

Historia është një seri e gjatë mësimesh të vështira. Por mbase pjesa më e rëndësishme për të mësuar është se paqja kërkon edhe drejtësi, por edhe përgjegjësi. Ne e dimë se pa gjyqet e Nurembergut dhe gjunjëzimin e Ëilly Brandt, pajtimi nuk do të ndodhte kurrë.

BE-ja u ndërtua përmes betejës kundër fashizmit. Paqja Evropiane ka në themel antifashizmin. Ndërsa shënojmë këtë ditë, le të kujtojmë se paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit të dhunshëm, por prania aktive e drejtësisë së vërtetë. Një paqe e drejtë me një shtet të mirëqenies që funksionon për të gjithë pa marrë parasysh kombësinë, fenë dhe gjininë.

Ne shikojmë kah Bashkimi Evropian. BE-ja duhet të kujdeset për ne. Ballkani Perëndimor dhe BE-ja janë ekonomikisht dhe gjeopolitikisht, historikisht dhe kulturalisht, shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin. Progresi Evropian varet nga të kuptuarit e kësaj.

Gëzuar Ditën e Evropës!