Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Në Bruksel u’a përsërita që nuk jam polic as zyrtar dogane, jam kryeministër dhe kam ardhur për marrëveshje finale

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot është përballë deputetëve, në interpelancën e ftuar për situatën e krijuar në vend.

Kurti ka folur për takimin trepalësh i cili u mbajt javën e kaluar në Bruksel.

Ai tha se atje ka përsëritur se ai është kryeministër i Kosovës dhe ka shkuar për marrëveshje finale.

“Unë ua përsërita çfarë kam thënë me 18 gusht se nuk jam as polic, as komandant stacioni, as zyrtar dogane, as shef kadastre. Jam kryeministër i Republikës së Kosovës dhe kam ardhur për marrëveshjen finale. E ata e dinin se unë kam të drejtë sepse takimi i 18 gushtit më ka dhënë të drejtë, pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë janë marrëveshjet aktuale”- tha Kurti.

Ai tha se Kosova gjithmonë e ka vënë theksin tek propozimi i Bashkimi Evropian për marrëveshje.

“Ne gjithmonë e kemi vënë theksin tek propozimi i Bashkimi Evropian për marrëveshje, për dialog për marrëveshje, jo dialog për proces apo dialog për të zgjidhur një problem të vogël. Ne ishim dakord qe të pezullonim vendimet me tejshme që kishin të bënin me gjobat nëse Serbia do të pezullonte lëshimin e targave, pra fokusim me urgjencë dhe me një afat të caktuar në propozimin franko-gjerman”- tha tutje Kurti.

Ai shtoi se takimi nuk ishte i suksesshëm sepse nga fokusi për propozimin franko-gjerman u kalua vetëm tek veprimet për tagrat ilegale RKS.

Takimi i të hënës së kaluar mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel rezultoi pa marrëveshje për çështjen e targave.

Në një prononcim për media, Borrell kishte thënë se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së, për mos respektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.

Në anën tjetër, Kurti pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se  Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Javën e kaluar u arrit një dakordim për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.