Foto: ZKM

Kurti në Bruksel kërkon që Kosovës t'i jepet statusi i vendit kandidat dhe t'i hiqen masat nga BE-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me presidenten e Komisonit Europian, Ursula von der Leyen dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, ka bërë thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Europian.

Sipas njoftimit të Qeverisë, ai ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim.

Po ashtu, Kurti ka kërkuar të hiqen masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat i ka cilësuar si të padrejta.

“[Kurti] Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, sa i përket Planit të Rritjes, Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.

“Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai i konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin”- thuhet në njoftim,

Tutjer është bërë e ditur se cështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale.

Kurti ka uruar von der Leyen për rizgjedhjen e saj si Presidente e Komisionit Evropian, dhe është shprehur i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës.

Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor janë takuar më 19.09.2024 në Bruksel.

Takimi konsiderohet se vjen si shenjë e përkushtimit të saj për të mbështetur rajonin dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Ky plan do të mbulojë periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së në vitet e ardhshme.

Ndryshe nga katër shtetet e tjera të rajonit, më 07.05.2024, Kosovës dhe Serbisë u janë vënë parakushte shtesë në mënyrë që të përfitojnë nga 6 miliardë eurot e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor – në kuadër të Pakos së Rritjes për të cilën Këshilli Europian dha dritën e gjelbër në mëngjesin e 7 majit 2024.

Kushti për të dy shtetet është i qartë: Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.